Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, Lezhës si dhe forca speciale nga Tirana mësohet se janë nisur drejt vendngjarjes ku u plagosën dy efektivë policie.

Drejt Mamurrasit janë nisur po ashtu drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj.

Policia është vënë në ndjekje me forca të shumta për të kapur disa persona të dyshuar, të cilët u konfliktuan me efektivë të  patrullës së Mamurrasit, duke lënë të plagosur dy prej tyre.

Janë blinduar të gjitha rrugët ku dyshohet se mund të jenë larguar personat e përfshirë në ngjarje.

Nga përplasja fizike që çoi më pas në përdorimin e armëve të zjarrit në Mamurras u plagosën dy efektivët e patrullës Ilir Zeka dhe Flamur  Lleja.

I plagosur ka mbetur edhe shtetasi Nikoll Vorfi.

Një nga efektivët e plagosur ka marrë plagë me armë zjarri, ndërsa efektivi tjetër dhe shtetasi i tretë që mbeti i plagosur, dyshohet se janë qëlluar me sende të forta. Dëshmitë e para flasin se ata janë plagosur pas një konflikti fizik që lindi fillimisht mes policëve të patrullës dhe disa shtetasve.

Policia ende nuk ka dhënë një version zyrtar mbi ngjarjen, ndërsa ajo është nën hetim.