Në një qendër pritjeje për emigrantët në periferi të Beogradit, ka nisur dhe vaksinimi i tyre anti-Covid.

Në qendrën që aktualisht strehon 300 emigrantë, ata konfirmojnë se janë vaksinuar. Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga Afganistani, Pakistani dhe Irani.

Fushata e vaksinimit për ‘ta ka nisur në fund të muajit mars, dhe vaksina e përdorur ka qenë ajo e AstraZeneca.

Zyrtarët shëndetësorë në Serbi shprehen se emigrantët bënin pjesë në kategorinë e tretë që duhej vaksinuar, si pjesë e planit kombëtar për vaksinimin anti-Covid. Sipas tyre emigrantët kanë kërkuar vetë të vaksinohen dhe për tre javë pjesa më e madhe e tyre ka marrë dozën e parë të vaksinës britanike. Tashmë në vend po bëhet një sondazh për të parë se sa të tjerë do të donin gjithashtu të vaksinoheshin.

Në të gjithë Serbinë, sipas të dhënave të regjistruara janë 550 emigrantë të regjistruar në pritje për të marrë vaksinën. Ndërsa më shumë se 300 kanë marrë dozën e parë.

Serbia mbetet një nga vendet e para europiane për sa i përket numrit të të vaksinuarve anti-Covid.

Orët e fundit në vend kanë mbërritur dhe më shumë se 100 mijë doza Pfizer, ndërsa priten vaksina të tjera ruse dhe kineze.