Një sasi e konsiderueshme vaksinash anti-covid pritet të vijnë në Shqipëri në muajin Maj.

Ngadalësimi i procesit të vaksinimit në disa vende të Ballkanit Perëndimor dhe apelet e tyre për mbështetje nga BE, nxitën Komisionin Europian të shikojë mundësinë e dërgimit të tyre në rajon.

Sipas një njoftimi zyrtar, Komisioni Evropian dhe Austria pritet të shpallin sot përfundimin e marrëveshjeve për shpërndarjen e vaksinave COVID-19 për Ballkanin Perëndimor.

Sipas informacioneve paraprake të marrëveshjes, NOA.al mëson se bëhet fjalë për një sasi  651,000 dozat BioNTech / Pfizer që financohen nga Komisioni Evropian dhe do të ndahen në rajon me ndihmën e Austrisë.

Të njëjtat burime tregojnë se nga kjo paketë ndihme do të  përfitojë edhe Shqipëria.

Konkretisht vendi ynë do të marrë 145,000 dozat BioNTech / Pfizer.

Shpërndarja e parë për gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor pritet në maj, me dorëzime të rregullta që do të vazhdojnë deri në gusht.