Tronditet Elbasani nga një vrasje në mes të qytetit. Viktima është Pjerin Xhuvani, banor i këtij qyteti, raporton noa.al.

Dyshimet e para janë se Pjerin Xhuvani është vrarë para pak minutash ndërsa ndodhte një konflikt në lagjen “5 Maji” në Elbasan.

Burime jozyrtare bëjnë me dije se në vendin ku ka ndodhur vrasja janë dëgjuar më shumë se 20 të shtëna.

Burime që citon InfoWebTV bëjnë me dije se në vendin ku u vra Xhuvani ishte konstatuar një mjet që dyshohej se po shpërndante para për blerje votash për 25 Prillin.

Kandidati i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka ndaluar automjetin në Elbasan që dyshohet për blerjen e votave.

Më herët Pjerin Xhuvani ishte akuzuar nga PD se ishte një ndër organizatorët e përplasjes fizike mes simpatizantëve të PS dhe PD, Ditën e Verës në Elbasan.

Xhuvani kishte kaluar me PS-në dhe u akuzua si një nga nxitësit e dhunës që ndodhi ditën e verës në Elbasan, ku pati përplasje mes mbështetësve të forcave politike, pas takimeve në të njëjtin orar të Ramës dhe Bashës.

Pamje nga vendngjarja

Xhuvani është akuzuar edhe për laboratorin e drogës në Xibrakë të Elbasanit, ndërsa është njohur si aktivist i PS-së.

Mësohet se si pasojë e të shtënave ku humbi jetën Pjerin Xhuvani, kanë mbetur të plagosur në këmbë Klement Xhaferri dhe Xhensila Shota, efektive e Forcave Shqiponja.

Ndërkohë që dhe një person tjetër gjendet në gjendje të rëndë i cili dyshohet se është dhëndri i Pjerin Xhuvanit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe FNSH janë nisur me urgjencë drejt vendngjarjes.