Rusia e ka rrethuar praktikisht Ukrainën me dhjetra mijëra ushtarë, tanke, raketa dhe avionë gjuajtes e bombardues duke organizuar numrin më të madh të personalit ushtarak që prej 50 vitesh në rajon. Mediat britanike kanë publikuar pamje nga satelitët, të cilët kanë fotografuar një numër të madh avionësh dhe pajisjesh ushtarake në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës si edhe në Krime.

Raportohet se janë të paktën 40 mijë ushtarë rusë në Krime dhe 40 mijë të tjerë në kufirin me Ukrainën që presin urdhrin e Putinit për të nisur një sulm ndaj vendit që kërkon anëtarësimin e NATO dhe integrimin në Perëndim, jashtë sferës së influencës ruse.

Ndërkohë, në fotografi shihet edhe një numër i madh bombarduesish SU-34, të cilët krahas raketave mund të lëshojnë një numër të madh bombash nga ajri.

Rusia ka anazhuar edhe rreth 50 anije ushtarake përballë Ukrainës, ndërsa Britania e Madhe pritet të dërgojë në maj aeroplanmbajtësen e saj “Queen Elisabeth” në detin e Zi për t’i dhënë një sinjal të fortë Rusisë.

Në lidhje me këtë u njoftua më parë edhe Turqia, e cila administron ngushticën e Dardaneleve dhe Bosforin, por që është e detyruar t’i mbajë hapur për anijet tregtare dhe ushtarake sipas konventave ndërkombëtare.