Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Albert Dervishaj, në një konferencë për mediat, është duke dhënë detaje rreth përgatitjeve të bëra në kuadër të procesit zgjedhor në vend.

Dervishaj, ndër të tjera, bëri të ditur se duke nisur nga dita e sotme, merren në mbrojtje institucionet. Po ashtu, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë bëri të ditur se janë 7,519 punonjës policie të trajnuar për procesin zgjedhor.

“Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash për sigurimin e zgjedhjeve dhe për të garantuar një proces votimi sa më të qetë për të gjithë votuesit, masa të cilat janë ndjekur dhe po zbatohen në të gjitha fazat e zhvillimit të këtij procesi. Përgatitja e këtyre masave ka filluar që në muajin dhjetor 2020, me hartimin e detyrave në Programin e Punës, përgatitjen e Urdhrave të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të planeve të masave dhe të bashkëveprimit dhe dokumente të tjera që kompletojnë masat tona dhe zbatimin e detyrave institucionale për procesin zgjedhor.

Deri tani, detyrat e parashikuara nga Policia e Shtetit janë kryer me përgjegjësi të plotë. Jemi në fazën më të rëndësishme të periudhës zgjedhore e për rrjedhojë edhe të zbatimit të detyrave tona, prandaj të gjithë strukturat qendrore dhe vendore të Policisë kalojnë në gatishmëri “Shërbim të Përforcuar”, për të ndjekur me vlerësim të plotë masat e planifikuara për sigurimin e rendit publik dhe sigurimin e zgjedhjeve sidomos duke filluar nga dita e shtunë dhe në vijim.”