E ardhmja e Leo Messi është një nga temat më të diskutuara mes tifozëve të Barcelonës. Kapitenit të katalanasve i përfundon kontrata më 30 qershor dhe argjentinasi si zgjedhje të parë ka nënshkrimin e një kontrate të re.

Xavi Campos, në rubrikën “Gossip” që transmetohet në “Onze”, ka zbuluar edhe bisedën që është bërë mes Messit dhe presidenti të Barcelonës, Joan Laporta. Një ditë pasi ky i fundit u zgjodh president i katalanasve, ka takuar menjëherë sulmuesin.

Ata kanë drekuar së bashku në shtëpinë e futbollistit, nën shoqërinë edhe të një personi tjetër. Në atë drekë Messi ka qenë i qartë, teksa i ka thënë presidentit se nuk e kishte vendosur të ardhmen e tij, por së pari do të dëgjonte ofertën e Barcelonës.

Nga ana tjetër Laporta i ka thënë se është i bindur që do të bëjë propozimin që Messi do donte, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në aspektin financiar. Sulmuesi ka qenë i qartë, teksa ka thënë ndër të tjera që kërkon të luajë edhe dy sezone të tjerë në nivele të larta dhe më pas të largohet drejt SHBA-ve, për të luajtur me Inter Miami.

Messi synon që të luajë në Kupën e Botës Katar 2022 dhe deri atëherë do të vijojë të luajë në nivele të larta dhe Barcelona ia garanton këtë. Pas Botërorit do të ishte momenti për një aventurë të re. Tashmë Messi pret ofertën me të gjitha detajet dhe deri më tani ka optimizëm për rinovimin e marrëveshjes.