Dilemat nuk ndalen pasi në gjirin e Lalzit humbën jetën tre anëtarë të familjes Haliti nga Gjilani. Zyrtarisht mjekët thanë se nëna, djali dhe nusja vdiqën pasi kishin konsumuar kërpudha helmuese të cilat i kishin mbledhur në zonën përreth plazhit.

Por ndërsa tre familjarët dje u përcollën në banesën e fundit, dyshimet rriten për faktin se bashkë me to u gjet i pajetë edhe qeni që kishin me vete. Ai nuk ka konsumuar kërpudhat helmuese.

Familjarët e të ndjerëve akuzuan mjekët të cilët sipas tyre kanë neglizhuar gjendjen e familjarëve të tyre. Ndërsa dyshojnë që familjarët e tyre mund të mos kenë vdekur për shkak të konsumimit të kërpudhave.

Djali i familjes, në një konferencë për media ka treguar se ka biseduar me babain e tij në telefon dhe e ka vërejtur në të folur se ai nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ai ka treguar se edhe qeni që ka qenë bashkë me familjarët e tij, ka ngordhur, ndonëse nuk ka konsumuar kërpudha.

Sipas tij, familjarët e tij edhe më herët kanë mbledhur këpurdha dhe i njihnin ato mirë.

Ndërsa, ka thënë se familjarët e tij kanë qenë duke qëndruar në shtëpinë e tyre në Shqipëri.

Nga ana tjetër, mjeku Bardhyl Belba ka folur për herë të parë për vdekjen e tre familjarëve shqiptarë nga Kosova.

Mjeku ka treguar simptomat e para që kanë konstatuar te pacientët dhe mjekimin që u dha. Ai tha se nuk i kanë zhvendosur në spitalin e Durrësit, apo Tiranës, pasi gjendja e tyre pas marrjes së medikamenteve ishte paraqitur e mirë.

“Anëtarët e familjes Haliti janë paraqitur në Qendrën Shëndetësore në Manëz më datë 5 maj rreth orës 01:30 të mëngjesit, në gjendje jo të mirë shëndetësore, me të vjella, këputje trupi, dhimbje barku dhe janë vizituar nga mjeku i shërbimit të urgjencës dhe janë trajtuar me mjekimin përkatës”, ka deklaruar ai.

“Pas mjekimit, personat janë përmirësuar dhe kanë shkuar në shtëpi. Po atë ditë rreth orës 13:30 është paraqitur nëna e tyre me të njëjtat simptoma. Pasi ka marrë mjekimin e duhur është përmirësuar. Janë ngritur vetë dhe kanë dalë normalisht nga ambulanca e Manzës. Për arsye se ishte në gjendje të përmirësuar nuk ishte e domosdoshme për të shkuar në Durrës apo Tiranë. Ne e kemi procedurë, nëse pacienti del i përmirësuar s’ka pse të shkojë në spital, por nëse gjendja e pacientit vazhdon të rëndohet ne i dërgojmë në spital. Nuk ishte e domosdoshme për të shkuar në Durrës”, ka shtuar mjeku.

Kryetari i bashkisë së Gjilanit, Lutfi Haziri, doli sot në një deklaratë për media, për të njoftuar se rasti po hetohet dhe se Gjilani do të kërkojë drejtësi deri në fund.

“Jam njoftuar për gjendjen e rënduar shëndetësore të familjes Haliti më 7 maj dhe kërkova informacion nga institucionet e Shqipërisë. Një ditë pas, njoftohem se Afrim Haliti humbi nënën dhe bashkëshorten e tij, nga një helmim. Me vdekjen e tyre, kanë mbetur gjallë tre djem dhe një vajzë e rritur”, tha Haziri.

“Më 8 maj, – vijoi ai, – jam informuar nga Shqipëria për ndërmarrjen e veprimeve urgjente që përfshijnë Krimet e Rënda për fillimin e hetimeve. Presim rezultate zyrtare dhe kërkojmë që rasti të zbardhet deri në fund, që familja dhe Gjilani të jenë të qetë për atë që ka ndodhur. Do të shikohet a është neglizhuar në rastin e të ndjerëve, kur është ndërhyrë për mjekimin e tyre, etj.”, shtoi ai.