Kryeprokurori Olsian Çela ka deklaruar ditën e sotme pas një takimi me prokurorë të rretheve në Durrës se duhet hetuar me transparencë çështje që ka lidhje me krimet zgjedhore. Çela deklaroi se publiku duhet të jetë i qartë dhe të marrë informacion në lidhje me atë që ka bërë prokuroria duke vënë theksin te rëndësia e besimit të qytetarëve.

“Është kërkuar vazhdimisht nga prokuroritë e rretheve të kryen hetime të shpejta. E rëndësishme është që hetimet të shoqërohen me proces transparence që publiku të jetë I qartë dhe të ketë informacion mbi atë që ka bërë prokuroria. Duam të jemi të besueshëm për qytetarët. 

Çështja e zgjedhjeve prek shumë prokurori dhe janë çështje që kanë impakt në të gjithë vendin dhe ndaj rezultati i çdo hetimi është i rëndësishëm. Rëndësi ka që hetimet të jenë të plota.  Kemi kërkuar angazhim për hetim të të gjitha ngjarjeve që lidhen me çështjet e zgjedhjeve. Në procesin ligjvënës prokurori i përgjithshëm nuk i propozon parlamentit. Është çështje që vlen të diskutohet.

Synojmë nxitjen e prokurorive që të vazhdojnë të kenë në fokus hetimin sa më shpejtë dhe primare mbetet besueshmëria. Ka nevojë që prokuroria të mos humbë fokusin nga asnjë çështje e rëndësishme. Kjo ka të bëjë me çdo formë të krimit. Mbetet prioritet i prokurorisë të ruajë koherencën”, deklaroi Çela.

Ndërkohë pyetur nga gazetarët në lidhje me ngjarjet kriminale që kanë ndodhur në vend përgjatë ditëve të fundit, Çela u shpreh se kjo është një çështje që do të dojë një kohë të gjatë për të marrë përgjigje në bazë të hetimeve në lidhje me secilën prej tyre. “Kjo është një çështje që do një kohë të gjatë për përgjigjet”, u shpreh ai.