Sali Berisha ka reaguar lidhur me vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për ta shpallur ‘non grata’ atë dhe familjen e tij.

Përmes një sqarimi në Facebook, Berisha thotë se për këtë lajm u njoftua nga mediet, dhe shprehet i keqardhur për këtë vendim.

Disa orë pas shpalljes së vendimit si person “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ish-kryeministri, duke i kthyer përgjigje sekretarit amerikan të Shtetit në lidhje me shpalljen si të padëshiruar të tij personalisht dhe të familjes, e sfidon atë publikisht:

“Duke shprehur keqardhje per vendimin dhe duke e konsideruar ate pa asnje baze konkrete, ju ftoj te beni publike çdo fakt e dokument qe administrata e juaj, apo kushdo ne bote, mund te disponoje per te argumentuar pretendimin tuaj per mua dhe familjaret e mi”, shkruan Berisha në reagimin e tij.

Berisha i drejtohet Sekretarit Amerikan duke i thënë se në këto 30 vite asnjëherë nuk ka pasur akuzë ndaj tij, prej asnjë institucioni, vendas apo të huaj, për abuzim me fondet publike.

“Gjatë 30 viteve në politikë nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adresë time, nga asnjë person, asnjë institucion vendas apo i huaj për abuzim të fondeve publike dhe çfarëdo lloj tjetër korrupsioni.

Shtoj gjithashtu se gjatë të gjitha viteve të mia në pushtet, por dhe deri më sot, familjarët e mi nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plotë ligjet e vendit. Ata deri më sot nuk kanë qenë kurrë nën akuzë nga drejtësia shqiptare apo e ndonjë vendi tjetër”, shkruan Berisha.

Ai shton se vendimi që është marrë ndaj tij është pa baza konkrete, dhe kërkon publikimin e dokumenteve nga DASH për të vërtetuar pretendimet për korrupsion.

“Duke shprehur keqardhje për vendimin dhe duke e konsideruar atë pa asnjë bazë konkrete, ju ftoj të bëni publike çdo fakt e dokument që administrata e juaj, apo kushdo në botë, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin tuaj për mua dhe familjarët e mi.

Gjithashtu gjykoj se një ndër faktorët më kryesorë që qeveria që unë kam drejtuar arriti të anëtarësojë Shqipërinë në NATO, të firmosë Marrveshjen e Stabilizimit Asociimit dhe liberalizojë vizat me Bashkimin Europian, të arrijë nivelin e pragut te MCAC, dhe të tërheqë investime madhore, por edhe të shënojë kulme në marrëdhëniet midis dy vendeve tona mike, ka qenë lufta e suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e dokumentuar kjo dhe në raporte dhe vlerësime të qeverisë së SHBA”, thuhet në reagimin e Berishës.

Përpos këtij vendimi të DASH, Berisha saktëson se “vendimi juaj nuk mund të lëkundë kurrë admirimin tim për vendin, kombin e madh e mik amerikan dhe miqtë e mi në SHBA”.

Berisha i kujton Sekretarit Amerikan se ka 8 vite që ka dhënë dorëheqjen nga çdo funksion drejtues, por gjatë kësaj kohe ka mbrojtur interesin kombëtar.

“Unë kam denoncuar më shumë se kushdo tjetër në këtë vend publikisht brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar shqiptar dhe bandat e tij, kartelet e drogës, lidhjet e tyre me zyrtarët m të lartë shqiptarë, por edhe të huaj, korrupsionin e papërmbajtur qeveritar në Shqipëri.

Po kështu unë kam mbeshtetur reformën në drejtësi e të gjitha ndryshimet kushtetuese, por kam kritikuar dhe denoncuar çdo akt të ndërmarrë në kundërshtim flagrant me amendamentet kushtetuese për vendosjen e kontrollit të plotë politik mbi sistemin e drejtësisë.

Unë gjithashtu kam denoncuar në mediat shqiptare dhe të huaja, duke ditur shumë mirë pozicionin por edhe lidhjet e panumërta të tij, multimiliardierin George Soros, si korruptorin më kryesor të politikanëve të sotëm dhe në gjykimin tim, si një armik të vërtetë të demokracisë ne vendin tim.

Përveç kësaj kam denoncuar i pari dhe me forcën më të madhe, publikisht dhe vetëm publikisht, projektin e ndryshimit te Kufijve te Kosovës, i përgatitur nga fondacioni i George Sorosit në Beograd, për çka dhe dhe jam kërcënuar për pasoja, por natyrsht nuk jam impresionuar”.

Në fund Berisha thotë se ndihet krenar për të gjitha qëndrimet që ka mbajtur, dhe se ato kanë qenë të motivuara vetëm nga interesi publik dhe kombëtar.