Dy zyrtarë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë janë arrestuar nga policia me akuzën e lejimit të ndërtimeve pa leje dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Të arrestuarit janë;

  1. H., 35 vjeç, banues në Himarë, me detyrë kryeinspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë;
  2. Z., 30 vjeç, banues në Himarë, me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.

Në kërkim;

  1. N., 36 vjeç banues në Sarandë dhe Dh. B., 53 vjeç, banues në Himarë, të dy me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka urdhëruar ndalimin e tyre në bazë të vendimeve të Gjykatës, pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e Bashkisë Himarë.

Por cila ishte porosia e Edi Ramës?

Pak ditë më parë, konkretisht në 14 Maj, kryeministri kërkoi nisjen e menjëhershme të operacionit të kontrollit në vijën bregdetare për ndërtimet pa leje. Rama tha se kjo duhet të ndodhë tani dhe jo në mes të sezonit.

Kreu i qeverisë u shpreh se me ndryshimet ligjore rrezikojnë burg edhe inxhinieri, arkitekti dhe mbikëqyrësi i punimeve nëse bëhet palë me investitorin.

Kreu i qeverisë kishte një “shuplakë” për policinë kur tha se “shkoni për një copë mur në fund të botës, por nuk kontrolloni ndërtimet buzë detit”.