Vdekja e Evgjeni Baxhos disa javë më parë në Tiranë është mbuluar nga misteri, nisur edhe nga shenjat e gjetura në trupin e saj, për të cilat ekspertët shprehen se janë tregues të një rituali satanik të kryer nga një sekt mbi të renë.

Ervin Karamuço, ekspert i profilizimit kriminalistik tha se ishte i bindur që Evgjeni Baxho i ishte nënshtruar një rituali okult, i cili ka çuar në vdekjen e saj.

Ai shtoi se sektet satanike kanë gjetur parajsën në Shqipëri, pasi në vend nuk ka një vëmendje të caktuar ndaj veprimtarisë së këtyre grupimeve.

Evgjeni Baxho u gjet e vdekur më 18 maj në banesën me qira pranë lagjes “Ali Demi” në Tiranë, ndërsa disa ditë më vonë u publikuan fotografi të shenjave të mistershme në trupin e saj, për të cilat policia nuk ka asnjë shpjegim deri më tani.

Por, vdekja e Evgjeni Baxhos nuk është e vetmja që dyshohet se lidhet me aktivitetin e sekteve okulte në vendin tonë. Madje, krahas saj, vetëm gjatë një viti në vend kanë ndodhur edhe dy ngjarje të tjera të rënda, të cilat sipas ekspertëve janë inspiruar pikërisht prej këtyre sekteve.

Një tjetër rast është ai i Gerti S. , i cili u gjet i vdekur pak muaj më parë në një zonë të pyllëzuar në periferi të Tiranës. Siç shpjegoi gazetarja Anila Hoxha, i riu kishte shkëputur lidhjet me familjet dhe dyshohej se kishte kontakte me një sekt okult në Tiranë. 40 ditë pasi shkëputi lidhjet me familjen ai u gjet i vdekur dhe i paushqyer, në pozicion lutjeje në një pyll pranë kryeqytetit.

Ndërkohë, rasti i tretë, edhe më tepër i bujshëm është ai i familjes Josifi në Tiranë. Anisa dhe Zhaneta Josifi, nënë e bijë, u gjetën të vdekura në një banesë në lagjen “Kombinat”, ndërsa vajza tjetër, Blerta arriti të shpëtonte për ndërhyrjes së policisë.

Të treja ato i ishin nënshtruar heqjes dorë nga ushqimi për një kohë të gjatë. Për arsye që policia nuk i ka zbardhur  ende, fillimisht ndërroi jetë Anisa Josifi, e cila u mbajt për disa muaj e vdekur në krevat nga nëna dhe motra, Blerta. Ndërkohë që prisnin ringjalljen e Anisës, nëna dhe Blerta heqin dorë nga ushqimi në formë sakrifice.

Disa muaj më pas ndërron jetë edhe Zhaneta Josifi, ndërsa të afërmit alarmohen për shkak të mungesës së tyre dhe njoftojnë policinë, e cila pas ndërhyrjes gjen në kushte të rënda shëndetësore, vajzën tjetër të familjes, Blertën.

Pas hetimeve u zbulua se familja kishte praktikuar një rit të çuditshëm fetar përmes të cilit ishin vetësakrifikuar nëna dhe vajza. Në lidhje me këtë rast reagoie dhe pastori i Kishës që kishin frekuentuar motrat Josifi duke mohuar që të kenë lidhje me këtë ngjarje. Megjithatë, policia nuk ka zbuluar ende se cfarë e çoi familjen Josifi në këtë situatë.