Presidenti Aleksandër Vuçiç këtë të premte ka zhvilluar një konferencë për mediat ku ka dhënë detaje në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Vuçiç në deklaratën e tij ka theksuar se Serbia nuk është në favor të një konflikti të ngrirë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe se dëshiron që probleme “mos t’iu lërë pasardhësve”.

“Dialogu do të vazhdojë në një periudhë shumë të shkurtër kohe. Është çështje ditësh. Serbia do t’i përgjigjet ftesës dhe do të jetë e gatshme për të diskutuar një zgjidhje kompromisi, por jo poshtërimi”, është shprehur ai.

Ndër të tjera kreu i shtetit serb ka shprehur gatishmërinë për të paraqitur një raport në Parlamentin e Serbisë mbi dialogun me Kosovën para ose pas vazhdimit të tij në Bruksel.

Vuçiç theksoi se Serbia është e përkushtuar në zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur nga Kosova, por ai gjithashtu pret që pala shqiptare të angazhohet në këtë çështje.

Ideja jonë është … Tregoni (shqiptarëve) ku mendoni se ka varre, ne do ta gërmojmë atë vend. Të njëjtën gjë po e kërkojmë edhe nga ata”, shtoi Vuçiç.

Ndërkohë pyetjes se çfarë i ofrohet Serbisë pas një takimi me Përfaqësuesin e SHBA-së, Mattheë Palmer dhe Përfaqësuesin Special të BE për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajcak, ai tha përfaqësuesit e lartë ndërkombëtare e dinë çfarë duhet të diskutojnë në Serbi.

Ata e dinë se për çfarë mund të flasin me përfaqësuesit e Serbisë. Dhe cilat janë dëshirat e tyre, kjo është një çështje tjetër. Palmer mbron idenë e njohjes së Kosovës, nuk kam për çfarë të ankohem. E jona është që të luftojmë. Ajo që do të ndodhë më 8 qershor (vendimi në Hagë për Ratko Mladiqin) ose në Bruksel nuk është e lehtë. Ju e dini që fuqitë e mëdha nuk do të ndryshojnë vendimin e tyre për të njohur pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Vuçiç.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq pas disa javësh nuk do të jetë për dialogun e moçëm, por diskutim për formatin e bisedimeve për të ardhmen.

Takimi i mesit të qershorit që është paralajmëruar nuk është i paraparë për të vazhduar dialogun e moçëm apo më të moçëm. Por është diskutim për formatin e bisedimeve në të ardhmen. Pra, nuk është takim i dialogut të ardhshëm, por takim për dialogun e ardhshëm”, tha ai.