Monolog nga Erion Kristo

Po bëhet nami lidhur me paratë e pista. Agjencitë botërore shkruajnë se ne nuk kemi përparuar fare me paratë e pista.

Po ça sjellin në të vërtetë paratë e pista ? Paratë e pista ndryshojnë strukturën e një ekonomie, madje ndryshojnë dhe strukturën e një kombi. Ato bëjnë që një profesor të shikohet si teveqel dhe një teveqel të shikohet si profesor.

Por një njeri që ka para dhe që nuk e dimë burimin e tyre mund të përfaqësojë veten dhe të tjerët në parlament, pra organin më të lartë të një kombi. Paratë e pista sjellin shumë ndryshime dhe shtrëmbërojnë shtyllën kurrizore të një kombi.

Bëjnë që njerëzit e mirë dhe të ndershëm të largohen dhe ngelin vetëm ata që e kanë më kollaj të bëjnë prapësinë, por nga ana tjetër edhe një gjë duhet thënë për paratë e pista . Po të mos ishin paratë e pista, në Shqipëri s’do kishim as pare të pastra , se me atë klasë politike që kemi ne, me atë elitë intelektuale krejt gjumashe dhe që se nxjerr qimen nga qulli , nëse nuk do ishin këto paratë e pista ne do hanim mish njeriu.