Teuta, Partizani, Vllaznia dhe Laçi po mendojnë për ndeshjet e Kupave të Europës, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe kanë bërë edhe disa përforcime.

Kampionët e Teutës janë ekipi që ka ruajtur pjesën më të madhe të titullarëve. Largimi i vetëm është ai i Aleksander Kouros, i cili një ditë më parë u zëvendësua nga Blerim Kotobelli.

Durrsakët kanë bërë edhe dy afrime të tjera, nga Maqedonia e Veriut: Mbrojtësin Hristijan Dragarski nga Pelisteri dhe sulmuesin Pepi Gorgiev nga Sileksi. Ky i fundi ka spikatur vjet me 13 gola të shënuar.

Te Vllaznia lëvizja e parë ishte rikthimi i mbrojtësit Egzon Shimaj, pjesë e Besës së fundmi, ndërsa në rajon kanë marrë mbrojtësin Darko Bulatovic dhe sulmuesin Fahrudin Djurdjevic.

Ngissah Bismark, i cili vjet ishte pjesë e Pro Sesto në Serie C, është i fundit që e presin në Shkodër. Partizani është nga të vetmet ekipe që ka bërë përforcime vetëm nga Superiorja.

Të kuqtë i kanë marrë Vllaznisë Dejan Shehin dhe Herald Markun, si dhe Emiljano Mustën Laçit. Gjithashtu ata kanë transferuar nga Skënderbeu mesfushorin Arinaldo Rrapaj.

Merkato “mikse” te Laçi. Si zakonisht ata e marrin ndonjë lojtar në Kategorinë e Parë. Klinti Qato ka lënë Tomorin dhe është rikthyer në Superiore. Kurbinasit për sulmin kanë afruar një emër të njohur si Saliou Guindo.

Marco Roganovic dhe Dejan Zarubica janë prurjet nga Mali i Zi për kurbinasit, kurse Bashkim Velija ka lënë Renovën në Maqedoninë e Veriut për Laçit. Afrim tjetër te bardhezinjtë është edhe portieri Mario Dajsinani.