Një tjetër ngjarje e rëndë është shënuar në Greqi ku protagonist  janë disa shqiptarë. Sipas asaj që raportohet në mediat greke, dy të rinj të moshës 20 dhe 21 vjeç kanë përdhunuar bashkëkombasen e tyre shqiptare 19-vjeç.

Gjithçka nisi kur 19-vjeçarare nga Shqipëria u takua me një bashkëkombas të saj, pasi ishin njohur në mediat online.

Vajza e re u bind që të shkonte në shtëpinë e tij, në Agios Nikolaos, në Patissia dhe pastaj nisi makthi për të. Sipas shkresave të çështjes në Prokurori, një shqiptar i dytë u shfaq në shtëpi dhe të dy ata e përdhunuan. Mësohet se vajzën e re e mbajtën tre ditë në banesë ndërsa e përdhunonin vazhdimisht. Po ashtu sipas raportimeve ata e kanë droguar vajzën e re gjatë periudhës që e mbanin me dhunë në banesë.

Përdhunuesit më pas braktisën vajzën e abuzuar në portin e Pireut dhe më pas 19-vjeçarja iu drejtua policisë. Pak më vonë, dy autorët u identifikuan dhe u zbulua se ata kishin shkuar në Mykonos për të bërë pushime! Me veprimet e koordinuara të Sigurimit të Athinës dy autorët u arrestuan në mesditën e së Shtunës në Mykonos.

Kujtojmë se një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi vetëm pak ditë më parë ku një grua shqiptare u përdhunua nga një shtetas bullgar. Ky i fundit u la në burg ndërsa pritet që në vijim të jepet edhe dënimi për të.