Italia dhe Argjentina janë dy vende që bashkohen nga shumë gjëra. Brenda disa orëve, ato e panë veten duke festuar titujt e tyre kontinentalë të futbollit. Gjithashtu, kishin një faktor tjetër të përbashkët: fituan në shtëpinë e vendit organizator të finaleve respektive, Italia në “Wembley” dhe Argjentina në “Maracanã”.

Me euforinë e triumfeve të freskëta, pas 53 dhe 28 viteve respektivisht, Italia dhe Argjentina duket se po “pjekin” një ndeshje mes tyre, të quajtur “Superkupa Maradona”. Pra, një miqësore dhe jo ndeshje zyrtare për nder të lgjendës së futbollit, që u nda nga jeta nëntorin e vitit të kaluar.

Propozimi vjen nga gazeta “Olè”, e cila në faqen e parë publikon këtë hipotezë të organizimit të një sfide të veçantë, një trofe të ri me emrin e Diego Armando Maradonës. Një “Superkupë Maradona” që në mënyrë efektive zë vendin e Kupës së Konfederatave, të cilën FIFA vendosi ta shfuqizojë pas edicionit të fundit të vitit 2017. Do të ishte vërtet bukur për tifozët e futbollit, por do të mësohej edhe cili kampion është më i fortë; i Europës apo i Amerikës së Jugut.