SPAK ka mbyllur hetimet për dy ish-gjykatës të Kushtetueses, duke e dërguar dosjen në gjykatë për gjykim. Akuza është e njëjtë: fshehje dhe deklarim i rremë i pasurisë.

JA NJOFTIM PËR SHTYP I SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 30.7.2021, përcolli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kerkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale me nr.137/1 të vitit 2020 në ngarkim të të pandehurit:

– Fatos Lulo, me detyrë ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rremë, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.

Në të njëjtën datë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. përcolli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale me nr. 137/3 të vitit 2020 në ngarkim të të pandehurit:

– Bashkim Dedja, me detyrë ish-Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rreme dhe të fshehjes, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.

Kujtojmë se në muajin prill të këtij viti, gjykata e posaçme vendosi sekuestrimin e pasurive të Fatos Lulos dhe Bashkim Dedja: “Vendosjen e sekuestros mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Fatos Lulo, me sipërfaqe 172 m2, e llojit Njësi/Dyqan, e ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë

Vendosjen e sekuestros mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Bashkim Dedja, e llojit apartament, me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë”.