Një i dehur ka terrorizuar lagjen në Cërrik duke qëlluar fillimisht me thikë një bashkëmoshatarin e tij, ndërsa nuk është mjaftuar me kaq. Policia bën me dije se pasi qëlloi me thikë një 24-vjeçar, i riu i dehur ka shkuar pranë biznesit të tij duke i thyer edhe xhamat e godinës.

Ndërkohë që zhvillohej ngjarja, banorët e lagjes nr.1 të qytetit kanë njoftuar policinë, e cila ka ardhur duke arrestuar agresorin.

Ky i fundit do të akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Njoftimi i policisë

Cërrik

Në gjendje të dehur plagosi me mjet prerës bashkëmoshatarin e tij dhe i theu me mjete të forta xhamat e dritares së biznesit, kapet dhe arrestohet në flagrancë autori.

Shërbimet e Policisë, pasi kanë marrë njoftim se në lagjen nr.1, Cërrik, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. Z., i cili ishte në gjendje të dehur, kishte plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin M. M., 23 vjeç, banues në Cërrik, dhe kishte thyer me mjete të forta xhamat e dritares së biznesit së tij, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin A. Z., 24 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

23-vjeçari M. M. ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.