Panta Petroviç, serbi që jeton në një shpellë i distancuar nga jeta moderne, është vaksinuar kundër koronavirusit. Pothuajse 20 vjet më parë ai u distancua nga të gjithë dhe vendosi të jetojë në një shpellë të vogël në malet serbe për t’i shmangur njerëzit.

Vitin e kaluar, në njërën nga vizitat e tij në qytet, burri me mjekër të gjatë dëgjoi se është përhapur një pandemi. Pasi vaksinat kundër Covid-19 u bënë të qasshme, ai u vaksinua dhe u bën thirrje të gjithëve që të ndjekin shembullin e tij.

 “Ai (virusi) nuk zgjedh. Do të vijë edhe këtu, në shpellën time”, është shprehur 70-vjeçari për agjencinë AFP në shpellën që ndodhet në malin Stara Planina, në jug të Serbisë.

Petroviç e ka prejardhjen nga qyteza Pirot, duke qenë gjithmonë i dhënë pas natyrës, ai gradualisht zbuloi se izolimi nga shoqëria i sillte liri që nuk e kishte shijuar më parë.