Me programin tradicional dhe të njohur, por edhe me përmbajtje të reja nga 21 deri më 26 gusht do të mbahet Edicioni i 58-të i Festivalit “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”.
Në kuadër të programit parashihen lexime të shumta poetike në vende të ndryshme, në të cilat do të prezantohen 32 poetë të huaj dhe 30 poetë vendorë të brezave të ndryshëm.
Një risi në programin e sivjetëm të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë është porosia poetike që do të lexohet gjatë pjesës ceremoniale të hapjes solemne nga poeti / poetja e shquar maqedonase. Autori i porosisë së sivjetme poetike është Vllada Urosheviq, të cilit me rastin e 85-vjetorit në kuadër të programit i është kushtuar një term i veçantë për portretin poetik. Përndryshe, për leximet kryesore të festivalit, përveç gjuhës maqedonase dhe angleze, do të përdoren edhe gjuha shqipe dhe frënge.
Këtë vit, MSP-ja shpalli një thirrje për vullnetarë që do të përfshihen në mbështetjen logjistike të festivalit, ndërsa për arritshmëri më të madhe të audiencës, njoftohet edhe për transportin e organizuar me çmim simbolik për dashamirët e poezisë për ngjarjet kryesore të festivalit, nga Shkupi përmes Kërçovës deri në Strugë dhe përmes Velesit dhe Manastirit.
Nga botimet e Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, përveç monografisë së fitueses së Kurorës së Artë, poetes rumune Ana Blandiana, libri i fitueses së Çmimit “Urat e Strugës”, Monika Herceg, monografia “Kush është kush”, katër broshurat në kuadër të edicionit Versopolis, janë edhe antologjia tematike “Anija e Nuhut” nga Ivan Xheparovski.
Në lidhje me fituesin e këtij viti të çmimit “Vëllezërit Milladinov”, juria, në përputhje me rregulloren ekzistuese të titujve të pranuar, bëri një përzgjedhje prej pesë librave dhe autorëve që do të prezantohen në Festival dhe prej të cilëve do të shpallet fituesi i çmimit “Vëllezërit Milladinov”. Në garë të ngushtë janë poetët Mitko Gogov me “Letrën e fshehur”, Jovica Ivanovski me “Njeriun”, Natasha Sarxhoska me veprën “Ashti i kryqit”, Biljana Stojanovska me “Banesa që po shembet” dhe Katica Qullavkova me “Pasionet e mia, vuajtjet e mia”.