Hodhi kapsolla lakrimogjene gjatë Festës së Birrës, vihet në pranga autori i dyshuar i ngjarjes, me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër rendit, sigurisë publike dhe pronës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të 21 vjeçarit Redon Leka, banues në Tiranë, raporton noa.al. Ai shihet si personi që prishi koncertin e serbit Bregoviç.

Policia tha se Redon Leka rezulton me precedent të mëparshëm penal në fushën e prodhimit e shitjes së narkotikëve, trafiqeve të paligjshme dhe krimeve kundër pronës.

Por duket se Redon Leka nuk ishte i vetëm në këtë incident, pasi policia tha se  filluan procedimin penal edhe për shtetasin F. K., 33 vjeç, banues në fshatin Xeng, Lushnjë.

Veprimet policore erdhën pasi mbrëmjen e së dielës gjatë Festës së Birrës në Korçë, 21-vjeçari Redon Leka, ka hedhur kapsolla lakrimogjene, duke prishur koncertin e serbit Bregoviç.

Por policia thotë se Redon Leka hodhi bombat tymuese, “me qëllim cënimin e rendit dhe sigurisë publike në aktivitet”.

Kur zona VIP e shfaqjes u mbulua nga tymi, njerëzit aty rrotull u larguan. Megjithatë një pjesë u rikthyen dhe ndoqën koncertin.

Gjatë shoqërimit të shtetasit Redon Leka, për në ambientet e Komisariatit, shtetasi tjetër F. K., ka kundërshtuar forcat e policisë, me qëllim pengimin e tyre në kryerjen e detyrës.

Duket se plani për prishjen e koncertit u la në mes, pasi në vendngjarje u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një kapsollë detonatore e paplasur.

Nga ana e Policisë po punohet për dokumentimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje.

Gjithashtu po nga këto struktura, u bë arrestimi në flagrancë i 26 vjeçarit Kent Çeka, 26 vjeç, banues në Durrës.

I riu ndodhej në koncertin që zhvillohej në Terminalin e Autobusave dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël kanabis.

Materialet në ngarkim të këtyre personave i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.