Ditët e fundit janë regjistruar një varg vdekjesh me të dhëna shumë shqetësuese për moshën e viktimave. Ata janë që të gjithë midis 20 deri 23 vjeç.

Në 48 orët e fundit u raportuan të paktën 5 të rinj të vdekur. Në Kosovë vdiqën pardje një vajzë 20 vjeçe dhe një tjetër 23 vjeç.

Në Shqipëri sot u njoftua se vdiq një djalë 20 vjeç nga Korça.

Po sot në Maqedoni vdiq një djalë 21 vjeç nga Tetova. Pardje vdiq edhe një tjetër vajzë shqiptare, 23 vjeçe.

Pak ditë më herët janë raportuan edhe raste të tjera të viktimave midis 20 deri 29 vjeç. Në disa raste të ndjerët kishin probleme të tjera shëndetësorë, por një gjë është e sigurt: Ata jetonin normalisht deri pa u prekur nga virusi.

Edhe tek të infektuarit ka një shqetësim në rritje. Në periudhën pandemike mars 2020 deri qershor 2021 ishin të rrallë të rinjtë që përfundonin në spitale.

Edhe atëherë infektoheshin plot të rinj, por më së shumti e kalonin si grip.

Tani shifrat në spitalet Covid të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë flasin për alarm: Janë me dhjetëra të rinj e të reja rrotull 20 vjeçëve që janë shtruar e një pjesë në gjendje të rëndë deri në vdekje. Thuajse të gjithë të shtruarit janë nën nevojë oksigjeni.

Lind pyetja përse ky virus po përfshin kaq dendur rininë? Shumë mjekë japin mendime të ndryshme, por askush nuk di të thotë asgjë për sjelljen e këtij virusi.

Ndaj shpresa e vetme momentalisht mbetet që vaksinat dhe distancimi fizik të mbrojë jetë.