Mbrëmë ngriti siparin edicioni i 60 jubilar i festivalit më të vjetër të poezisë në vend. Tridhjetë poetë nga vendi dhe jashtë morën pjesë në këtë ngjarje këtë vit. Nga udhëheqësia e festivalit thonë se janë të lumtur që edhe përkundër shumë pengesave, arritën të realizojnë vitin jubilar të festivalit.

“Këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar, ne bëmë një hap përpara. Nëse vitin e kaluar poetët e huaj u prezantuan plotësisht përmes video thirrjeve, këtë vit kemi 15 poetë të huaj që janë fizikisht të pranishëm, një pjesë e vogël e tyre do të prezantohen përmes video thirrjeve dhe natyrisht që ka edhe poetë vendas.”,- deklaroi drejtori i festivalit, Todorçe Tasevski.

Mbrëmë gjithashtu u mbajt edhe ngjarja ndërkombëtare “Meridianët poetikë”, ku performuan shumica e poetëve të huaj. “Mbrëmjet strugane të poezisë”, të cilat do të zgjasin deri më 30 gusht, këtë vit mbahen nën moton “Dëshmi të shkëlqyera, fjalë të mrekullueshme”. Festivali zhvillohet sipas të gjitha protokolleve për mbrojtjen kundër Covid-19.