Zamira Durdaj, nëna e 7-vjeçarit që humbi jetën gjatë shpërthimit në Gërdec, ka folur pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, për të rihapur hetimet për ish-ministrin e mbrojtjes së asaj kohe Fatmir Mediu.

Durdaj tha se vendimi i sotëm është një lajm i mirë për familjet e viktimave të Gërdecit, por tha se rruga që i pret përpara për vendosjen e drejtësisë është akoma e gjatë. Nëna që humbi birin kërkon që Fatmir Mediu dhe përgjegjësit e tjerë të dyshuar për shpërthimin në Gërdec, të paguajnë nga xhepat e tyre dhe jo nga Buxheti i Shtetit familjet që humbën të afërmit e tyre.

Zamira Durdaj dha dhe arsyet se pse derimë sot nuk është dorëzuar në kërkimin e drejtësisë, pasi sipas saj ky është premtimi që ajo ka bërë në arkivolin e të birit.

“Është një lajm i mirë, është një shenjë e mirë që kjo çështje e lënë në harresë të vazhdohet. Tani do të shohim SPAK sesi do të veprojë, pasi do të kalojë sërish në një zonë këshillimi, rruga është akoma e gjatë.

Unë për drejtësinë luftoj, unë do të gjej një qetësi shpirtërore, pasi unë e di që djali im nuk do të më kthehet më. Të gjithë pushtetarët që marrim përsipër një punë duhet të jenë përgjegjës, të mbajnë përgjegjësi për atë që kanë bërë.

Drejtësia nuk do të thotë detyrimisht që ai të shkojë në burg, dhe do jem e kënaqur unë, por të paguajë deri në fund dëmin që ka shkaktuar ndaj të gjithë familjarëve. Personat përgjegjës të paguajnë nga xhepat e tyre dhe jo nga buxheti i shtetit.

Dhimbja shpirtërore sa vjen e shtohet.

Të tjerët janë lodhur, por unë jo, drejtësia për Gërdecin është motivi i jetës sime, pasi jam betuar para arkivolit të tim biri”, u shpreh Durdaj.