Pas një hetimi 35-vjeçar, një ish-oficer policie është zbuluar se qëndron pas një sërë vrasjesh dhe përdhunimesh. Sipas mediave të huaja, burri që tronditi vendin i dha fund jetës këtë javë, para se të arrestohej nga policia. Prokurorja publike e Parisit, Laure Beçuau tha se testet e ADN -së kishin krijuar një lidhje midis profilit gjenetik të gjetur në disa skena krimi dhe atij të policit të vdekur.

Zyrtarët ishin në kërkim të autorit të pesë krimeve të kryera midis 1986 dhe 1994, përfshirë “përdhunimin e të miturve 15-vjeçarë, vrasje, vrasje në tentative e grabitje të armatosura”,-tha Beçuau.

59-vjeçarit, i cili jetonte në jug të Francës, iu tha më 24 shtator se do të ekzaminohej të mërkurën si pjesë e hetimit, ndërsa rreth 750 burra që shërbenin si oficerë të policisë ushtarake në rajonin e Parisit në kohën e krimeve u thirrën për shqyrtim. Prokurori tha se burri u raportua i zhdukur nga gruaja e tij të hënën dhe u gjet i vdekur në komunën jugore të Le Grau-du-Roi dy ditë më vonë, ditën e ekzaminimit të tij të planifikuar.

Edhe pse prokurorja nuk e përmendi emrin e burrit në deklaratën e saj, CNN tha se një burim pranë hetimit e kishte emëruar atë si François Verove. Para vetëvrasjes, Verove la një shënim duke rrëfyer se ai ishte një vrasës, por nuk dha emrat e viktimave të tij.