Konfindustria i ka bërë kërkesë qeverisë që një prej masave të menjëhershme për krizën energjetike të jetë riformatimi i Qeverisë me një portofol të veçantë për energjinë.

“Konfindustria i kërkon Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, të riformatojë Qeverinë e krijuar pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, duke rikrijuar si portofol të veçantë Ministrinë e Energjisë. Kërkesa vjen, duke pasur parasysh shpalljen nga Kryeministri të rrezikut të krizës energjetike në vend.

Konfindustria vlerëson, se veprimi i parë  i shprehjes së përgjegjësisë qeveritare për përballjen me krizën e sotme, zbulimin dhe luftën e shkaqeve të krijimit të saj me qëllim mos përsëritjen në të ardhmen, duhet të jetë krijimi i Ministrisë së Energjisë”, thuhet në deklaratën e Konfindustria.

Sipas tyre Ministria e Energjetikës mungon si portofol i veçantë duke e lënë të përfaqësuar vetëm si shtojcë të Ministrisë së Infrastrukturës, sektorin strategjik të energjisë dhe karburanteve.

“Një pjesë e rëndësishme e arsyeve të krizës energjetike të sotme vjen nga politikat e gabuara,  menaxhimi i dobët, pasojë edhe e mospërfaqësimit të duhur qeveritar. Disa projekte dhe arritje pozitive, në prodhimin dhe përmirësimin e menaxhimit të sektorit te energjetik gjatë mandatit të parë, u ndërprenë në vazhdim”, vijon deklarata.