Jo, virgjëria nuk ekziston, të paktën jo nga pikëpamja mjekësore-anatomike. Mbi këtë bazë, Kolegji Mbretëror i Obstetërve dhe Gjinekologëve (RCOG), i cili përfaqësohet nga mjekë obstetër dhe gjinekologë britanikë, ka publikuar një apel në British Medical Journal për t’i kërkuar qeverisë të ndalojë testet e virgjërisë, vizitat invazive dhe joshkencore, që synojnë verifikimin e himenit. Testi ofrohet nga disa klinika private në Mbretërinë e Bashkuar. Por praktikohet në të gjitha vendet perëndimore. Janë kryesisht gratë dhe familjet myslimane që e kërkojnë atë, por jo vetëm: rasti i reperit amerikan T.I., i cili deklaroi se ai ia imponon vajzës së tij çdo vit testin e virgjërisë, shkaktoi një reagim të madh.

Apelit të gjinekologëve anglezë iu përgjigj italianja Eugenia Tognotti, profesoreshë e Historisë së Mjekësisë dhe Shëndetit Publik në Universitetin e Sassari: letra e saj, e botuar nga British Medical Journal, rindërton origjinën historike të një miti. “Virgjëria nuk është një term mjekësor,” thotë ajo. “Nuk gjendet në traktatet e mëdha mbi anatominë. Është një konstruksion social. Në Mesjetë e vetmja prove, e pasigurt e virgjërisë ishte fakti që gratë kishin gjakderdhje gjatë raportit të parë seksual.

“Ky është ndoshta rasti i vetëm në historinë e mjekësisë në të cilin evolucioni i dijes nuk i ka fshirë besimet e gabuara. Edhe sot himeni është fetishizuar. Teste që nuk janë shkencore kryhen rregullisht edhe në vendet perëndimore. Me pak fjalë, problemi, sa etik është edhe shkencor, sepse himeni nuk është një tregues i besueshëm i virgjërisë.

Pastaj, në shekullin e 16 -të, Andrea Vesalius, i konsideruar babai i anatomisë moderne, pati mundësinë të ndante trupin e dy grave sigurisht të virgjëra. “Siguria erdhi nga fakti se njëra ishte murgeshë dhe tjetra e deformuar” shpjegon Tognotti. “Ai vuri re një septum të indeve membranore rreth hyrjes në vaginë dhe ishte i bindur se kishte gjetur prova fizike të virgjërisë.” Përshkrimi i himenit u shfaq në 1543 në librin e tij “De humani corporis”. Më vonë, Vesalius do të kishte specifikuar se jo të gjitha gratë e virgjëra kanë himen. Por tani ishte tepër vonë.

Sipas gjinekologes Jennifer Gunter, autore e librit më të shitur The Bible Vagina, rreth 50% e adoleshentëve seksualisht aktivë kanë një himen të paprekur.

Specialistë të tjerë, nga ana tjetër, argumentojnë se ata që kanë kryer marrëdhënie pothuajse gjithmonë kanë një himen të prishur. Kjo mosmarrëveshje, sipas disa mjekëve, buron nga fakti se publikimet shkencore mbi himenin pothuajse nuk ekzistojnë.

Në Suedi është propozuar që fjala të zëvendësohet me fjalën “membranë”, e cila evokon imazhin e një pengese, dhe kërkesa e gjinekologëve u pranua nga Språkrådet, Këshilli për gjuhën suedeze.

Kolegji Mbretëror i Gjinekologëve:Virgjëria nuk ekziston!

Shpërthimi i kirurgjisë intime

Testi i virgjërisë është e para nga shumë çështje për të cilat komuniteti mjekësor ka filluar të mendojë. Në Francë, pas një debati që filloi në vitin 2020, ai sapo është bërë ilegal. Ndërsa doli në gusht lajmi se Indonezia nuk do ta imponojë më atë për personat e rektutuar në ushtri. Por apeli britanik shton një element të rëndësishëm: ndalimi i testeve “komprometohet pa ndalimin e himenoplastikës, duke pasur parasysh që të dy praktikat janë të lidhura në mënyrë të pandashme”. Ky është rindërtimi kirurgjik i himenit dhe nuk ka të bëjë vetëm me gratë muslimane, është pjesë e biznesit të madh të kirurgjisë intime femërore, një degë gjithnjë e më e përhapur e kirurgjisë kozmetike, e cila ofron rimodelim dhe rigjenerim të zonës vaginale.

Në Itali, himenoplastika njihet nga një numër i madh vendesh që ofrojnë kirurgji intime. Disa i ilustrojnë përparësitë në italisht dhe të tjerë në arabisht. Njëri shpjegon: “Kirurgjia moderne mund të rikthejë gjendjen e virgjërisë. Pas këtij operacioni, dhimbja dhe gjakderdhja do të shfaqen sërish”.

Në realitet, gjakderdhja nuk është karakteristikë e kontaktit të pare seksual. Sidoqoftë, siç shpjegohet nga Andrea Garelli, një kirurg plastik që punon midis Romës dhe Milanos, “gratë që i drejtohen himenoplastikës duan garancinë e gjakderdhjes, veçanërisht ato të fesë myslimane. Kjo kërkesë mund të plotësohet me anë të kirurgjisë. Por, në kushte natyrore, gjakderdhja varet nga morfologjia dhe elasticiteti i himenit”.

Garelli, ndryshe nga kirurgët e tjerë, pretendon se ka dy lloje në mesin e klienteve të tij.

“Ka dy lloje. Njëra është vajza e mitur, ndonjëherë ajo vjen vetëm dhe pastaj, kur zbulon se ka nevojë për autorizimin e një prindi, heq dorë, herë të tjera shoqërohet nga nëna e saj. Pastaj janë gratë 45-50 vjeçare. Këtu himenoplastika shpesh kombinohet me një ndërhyrje tjetër estetike: gjoksin, liposuksionin. Duke iu nënshtruar anestezisë së përgjithshme, ata përfitojnë nga kjo. Ndoshta ato janë gra në martesën e tyre të dytë, të cilat duan t’i bëjnë një “dhuratë” burrit.Agjencitë e specializuara për organizimin e dasmave, për një kohë po ua propozonin këtë ide klienteve të tyre. Disa gra e pranuan propozimin. Në Francë ata e quanin “biznesi i virgjërisë”. Por në fakt është e vështirë të marrësh një ide për numrin dhe llojin e këtyre ndërhyrjeve.

Rimodelimi është një biznes serioz

Sipas Massimiliano Brambilla të Sicpre, Shoqërisë Italiane të Kirurgjisë Plastike Rimodeluese, himenoplastika nuk është aspak e zakonshme. Pak raste mbërrijnë në spital . Ato janë gra që që janë dhunuar ose vajza të dërguara nga shërbimet sociale, kryesisht me origjinë nga Afrika Veriore. Çdo rast duhet të vlerësohet nga një ekip psikologësh. Sigurisht, nëse një kirurg fillon të reklamojë himenoplastikën në internet, është e qartë se ai do të jetë në gjendje të tërheqë kliente të tjera gjithashtu. Por “rikthimi” i himenit nuk është lojë. Pra, procedura duhet të justifikohet.