SPAK ka nisur hetimin për 13 kompani Call Center-ash me qendër në Tiranë pasi dyshohet se kanë mashtruar me shuma të mëdha një numër të konsiderueshëm qytetarësh të Bashkimit Europian.

Hetimet e SPAK janë duke u kryer në kuadër të organizatës kriminale pas kërkesave nga Gjermania dhe Holanda. Pas ankesave nga qytetarët e tyre, këto shtete kanë filluar hetimet duke verifikuar komunikimet me operatorët e Call Centerave, nga të cilat kanë zbuluar se bëhej fjalë për IP me qendër në Shqipëri.

Mashtrimi

Punonjës të Call Centerave që njihen si “call center bursash” telefononin nga zyrat e tyre qytetarët e BE-së duke iu premtuar se nëse investonin shuma të mëdha në bursë apo në kriptomonedha do të siguronin fitime të mëdha.

Mashtrimi zgjaste për disa javë apo muaj pasi fillimisht viktimës i merrej një shumë e vogël pararash dhe më pas nën premtimin për fitime të mëdha bindej që të investonte edhe më tepër.
Në fund, telefonuesi zhdukej duke i marrë të gjitha paratë investitorit nga BE, të cilat kalonin në numrin e llogarisë së kompanisë së Call Centerave, nga të cilat operatori shqiptar fitonte përqindje të majme.