Bashkautorë në krimet e përsëritura janë gjykatësit “e korruptuar dhe të degjeneruar”. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama nga “Rinasi” gjatë një konferencë për mediat. I pyetur nga gazetarët për persona me probleme të shëndetit mendor që nuk marrin trajtimin e nevojshëm dhe që mund të kthehen në rrezik potencial për qytetarët.

Sipas kreut të qeverisë problemi në vend është se puna e forcave të policisë në terren nuk është në përpjesëtim të drejtë me atë që bëhet në gjykata. Duke u ndalur tek puna e gjyqtarëve, Rama tha se kjo është arsyeja se përse puna e organeve të vettingut vijon dhe do të vijojë.

“Problemi kryesor që ne kemi është raporti midis rezultateve të operacioneve të policisë, numrit të autorëve të identifikuar, shoqëruar e çuar në prokurori për krime të natyrave të ndryshme, me numrin e të dënuarve nga gjykatat. Bashkautor në të gjitha krimet e përsëritura ose në shumicën dërrmuese të tyre janë gjykatësit e korruptuar, të degjeneruar.”

Për Ramën, ata që thonë se reforma në drejtësi është një dështim, nuk dinë se çfarë flasin.

“Të ndërtosh një sistem drejtësie ashtu siç e duam të gjithë, nuk është një çështje e aprovimit të ligjeve të duhura, as çështje e pastrimit të llumit. Është çështje e plotësimit të të gjithë boshllëkut të krijuar nga largimi i llumit dhe ngritjes së institucioneve, kolonës të shtetit që ka qenë një kalbësi e gjallë në këto tre dekada. Kjo nuk mund të ndodhë me shpejtësi.”