Pa energji elektrike prej ditësh, çfarë le pas dhe si nxjer problematikat dëbora në rajonin e Korçës.

Sa herë bien reshje dëbore në rajonin juglindor të Korçës bëhet lajm, thua se dëbora po bie në Sahara. Nxitojnë në një garë naive dhe ndoshta spekulative deri edhe faqet zyrtare të bashkive të reklamojnë bardhësinë e dëborës e romantikën e saj, a thua se turistët kaq po presin dhe mësyjnë pas dere.

Ajo magjia dhe nostalgjia për dëborën kalon shpejt, dhe nuk vonojnë zërat e ankesave, halleve dhe problematikave të njerëzve që u zihen rrugët, mbeten pa energji elektrike, me të sëmurë dhe ca më keq edhe në skamje ekonomike. Për këta nuk ka asnjë ‘reklamë’, nuk del kush dhe të thotë se ka prishur rehatinë apo rutinën e punëve dhe ka ndrequr një shtyllë dhe ka takuar aksh banor të një zone të largët malore që ju gjend pranë.

Prej ditësh, fshatra malorë në rajonin e juglindjes po vuajnë mungesën e energjisë elektrike pas rënies së reshjeve të dëborës. Panariti si gjithmonë mbetet gangrenë për pasojat që le dëbora, por edhe në rrethin e Kolonjës, Pogradecit e Maliqit banorët e fshatrave të largëta ndihen si jetimë.

Prefekti i Korçës ka treguar se nuk e ka për gjë të premtojë në këto situata, pavarësisht se kur dhe sa e mban fjalën. Ai dhe të tjerë drejtues të pushtetit lokal ndoshta ndihen në rregull me proçesvervalet e mbledhjeve të komisioneve të emergjencës, por kur vjen puna të zgjidhin problematikat në kohë sikur nuk kanë fuqi praktike dhe reale.

Dhjetra shtylla druri dhe betoni raportohen të rrëzuara, me pasojë mungesën e zgjatur të energjisë elektrike në disa zona malore të rajonit të Korçës, duke ja veshur përgjegjësinë OSHEE.

Si gjithmonë, asnjë masë nuk i paraprin si duhet dimrit në juglindje, vetëm kur ze dëbora dhe krijon situata të vështira atëhere bëhet capak zhurmë dhe lëvizet sa për të thënë se edhe ata njerëz atje në mal nuk janë të haruar.