Testi i drogës që po zhvillohet prej dy javësh ka kapur tashmë 33 efektivë të komisariateve të policisë së Tiranës dhe rretheve kanë rezultuar përdorues të lëndëve narkotike.

Efektivët nga drejtoritë e gjithë qarqeve në vend po i nënshtrohen analizës së gjakut dhe urinës për këtë qëllim, ndërkohë që veç 20 punonjësve përdorues në Tiranë, të penalizuar janë edhe 11 efektivë në Shkodër dhe dy oficerë në Elbasan.

Të parët që i janë nënshtruar testimit janë efektivët që punojnë në sektoret e rendit me më tepër kontakt me qytetarët.

Punonjësit e Policisë së Shtetit po i nënshtrohen testit të drogës javët e fundit pas urdhrit të firmosur nga drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano, ndërkohë që përdorues deri tani rezultojnë 33 prej tyre.

Përveç efektivëve nga rrethet, rreth 100 punonjës të 6 komisariateve të Tiranës i janë nënshtruar analizave nëse kanë konsumuar lëndë narkotike.

Nga këto efektivë të cilët shërbejnë në repartet dhe sektorët që kanë më tepër kontakt me qytetarët, 20 prej tyre kanë rezultuar përdorues të lëndëve narkotike në komisariatet e Tiranës.

Ndërkaq analizat kanë nxjerrë zbuluar edhe 11 punonjës të policisë së Shkodrës dhe dy oficere të policisë së Elbasanit.

Referuar burimeve jozyrtare, disa prej tyre e kanë kontestuar përgjigjen e dhënë me arsyetimin se mund të jëtë një gabim i laboratorit privat në kryerjen e ekzaminimeve.