Partia Demokratike ka ndërmarrë hapa ligjor kundër funksionarëve të sapo shkarkuar të saj të cilët morën pjesë në “Kuvendin Kombëtar” të Sali Berishës më 11 dhjetor. Konkretisht PD ka kallëzuar në SPAK përfaqësues të lëvizjes Berisha për falsifikimin e vulës së PD, deputetët Belind Këlliçi, Edmond Spaho, Albana Vokshi, si dhe Ivi Kaso e Ervin Minarolli.

Sipas PD-së, bëhet fjalë për veprën penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 190 paragrafi i 2 dhe 25 i Kodit Penal.

Në kallëzim drejtuar SPAK-ut thuhet se këta persona që kanë pasur funksione në PD, kanë dijeni për rregullat e statutit, dhe e kanë kryer veprën penale të përdorimit të vulës dhe simboleve për të realizuar qëllimet e tyre, pavarësisht se ishin në dijeni të pasojave ligjore.

PD e ka depozituar kallëzimin në SPAK, pasi 3 nga të kallëzuarit janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Sjellim ndërmend se dje Këshilli Kombëtar i PD-së shkarkoi nga funksionet 10 anëtarë të Kryesisë, me 251 vota pro nga 257 që votuan, duke nisur nga Edi Paloka dhe më pas me anëtarët dhe sekretarët e Kryesisë së PD. Megjithatë nga ana tjetër Sali Berisha dhe mbështetësit e tij i kanë cilësuar si “nul” veprimet e Bashës, pasi sipas tyre ai u shkarkuar në Kuvendin e 11 dhjetorit.

Në PD ka nisur një luftë e brendshme që prej shtatorit, kur dhe Berisha u pezullua nga grupi parlamentar me vendim të Lulzim Bashës, pasi ai u shpall më herët “non grata” nga SHBA.