Malta është bërë vendi i parë i BE-së që legalizon kultivimin dhe përdorimin personal të kanabisit. Qytetarët  do të lejohen të mbajnë deri në shtatë gram kanabis dhe të rritin jo më shumë se katër bimë në shtëpi. Pirja e kanabisit në publik ose para fëmijëve do të jetë e paligjshme raporton “BBC”.

Disa vende të tjera si Gjermania, Luksemburgu dhe Zvicra priten ta legalizojnë kanabisin në të ardhmen. Ligji u votua ditën e martë me 36 vota pro dhe 27 kundër në parlamentin  e Maltës.

Ministri i Barazisë Owen Bonnici deklaroi, që ligji do bëjë të mundur që personat që e konsumojnë për një kohë të shkurtër kanabisin mos të përballen me sistemin e drejtësisë. Lideri i opozitës Bernard Grech ishte kundër votimit të ligjit për shkak se mendon që do forcojë tregun ilegal të kanabisit.

Pirja e kanabisit në publik do të dënohet me një gjobë prej 235 euro dhe ata që do të gjenden duke pirë kanabis para një personi, që nuk ka mbushur akoma 18 vjeç do të gjobiten me 500 euro. Do të krijohen shoqata për të shpërndarë drogën ose farat për kultivimin e kanabisit, në mënyrë që të kontrollohet sasia që blen një person.