Për herë të parë në histori, një anije hapësinore e bërë nga dora e njeriut ka pasur kontakt me diellin. Më 28 Prill të 2021, sonda diellore Parker e NASA-s fluturoi mbi dhe rreth kurorës diellore, atmosfera e sipërme e Diellit. Jo vetëm që arriti të mbijetonte për ta treguar këtë histori, provoi edhe eficencën e mburojës së teknologjisë së lartë ndaj nxehtësisë të Parker-it, e jo vetëm kaq. Arriti të merrte të dhëna në zemër të sistemit tonë diellor. Të dhëna që nuk ishin parë kurrë më parë.

“Sonda diellore Parker që ‘prek’ Diellin është një moment historik për shkencën diellore”, tha astrofizikanti Thomas Zurbuchen, i NASA-s. “Jo vetëm që ky moment historik na jep më shumë të dhëna mbi evolucionin e Diellit dhe ndikimet e tij në sistemin tonë Diellor, por gjithçka që mësojmë për yllin tonë na mëson më shumë për yjet në pjesën tjetër të Universit”, tha ai.

Sonda diellore Parker u lëshua në hapësirë në vitin 2018. Objektivi kryesor ishte hetimi i kurorës diellore. Në misionin e planifikuar 7 vjeçar, duhet të bëjë një total prej 26 afrimesh në Diell. Në Prill afrimi në Diell ishte i 8, dhe i pari që në fakt arriti të hynte në kurorë. Në gati 5 orë brenda atmosferës diellore, Parker mati luhatjet në fushën magnetike të Diellit dhe mori mostra grimcash.

Të dhëna që deri më tani përllogariteshin në bazë të informacioneve të jashtme. E thënë më qartë, kjo sondë tanimë u jep ekspertëve mundësinë që të studiojnë nga afër Diellin, siç nuk kanë mundur ta bëjnë kurrë më parë.

Shkencëtarët kërkojnë të mësojnë më shumë për erërat diellore, që ndikojnë në tokë, si dhe temperaturat e sipërfaqes së Diellit. Ata shpresojnë që të kuptojnë sesi dhe ku formohen erërat diellore.

Nëse arrijnë t’u japin përgjigje këtyre pyetjeve, atëherë shkencëtarët do të mund të jenë në gjendje të kuptojnë përse kurora është miliona gradë më e nxehtë se sipërfaqja e diellit. Sonda zbuloi po ashtu se sipërfaqja e kurorës nuk është e lëmuar, siç disa shkencëtarë kishin parashikuar që në gjenezë.

Kjo arritje e shkencës është rezultat i një bashkëpunimi masiv mes NASA dhe Universitetit të Harvardit. Hapi tjetër i sondës diellore është rrotullimi më pranë Diellit dhe me shpresë të arrijë një distancë prej gati 6 milionë kilometrash nga sipërfaqja. Sonda do të rifutet në atmosferë në Janar të 2022.