“Ekstremistë shqiptarë, me ndihmën e bollshme të politikanëve nga Kosova”, kështu i ka quajtur një media serbe ata që do të protestojnë ditën e nesërme (20 dhjetor) në Tiranë në protestën e thirrur nga Sali Berisha.

Protesta do të bëhet kundër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili do të vijë në Tiranë në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”. Sipas medias serbe, organizatorët e demonstratës janë Sait Dollapi, ish-sekretar organizativ i PD-së dhe Agron Kuliçaj e Sali Lushaj, njerëz të besuar të ish-presidentit dhe kryeministrit Sali Berisha.

Ndër të tjera pretendon se Berisha ka kontaktuar me Ramush Haradinajn për të siguruar praninë e së paku 100 personave nga Kosova në protestë.

Sipas ‘Novosti’, “Lushaj dhe Dollapi shkuan sot në krahinën jugore të Serbisë për të organizuar ardhjen e atyre që i quan si ekstremistë, për në Tiranë dhe këtë operacion e ka përkrahur edhe kryeministri aktual në Prishtinë, Albin Kurti. Pritet që hyrja të organizohet përmes Morinës, nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, në mënyrë që policia të mos i kthejë, shton kjo medie.”

Të gjitha këto pretendime mund të vijnë nga fakti se Albin Kurti nuk pranon t’i bashkohet nismës së ‘Ballkanit të Hapur’.