Deputeti i përjashtuar i PD-së, Edmond Spaho zbuloi sot detajet e lëvizjeve që po përgatisin mbështetësit e Sali Berishës.

Në emisionin ‘Breaking’, ka hedhur poshtë mundësinë se Berisha me mbështetësit e tij mund të krijojnë një parti të re, apo një grup të ri parlamentar.

“Nuk kemi ndërmend as të krijojmë as grup parlamentar asgjë, e as parti të re. Do të punojmë të krijojmë një lëvizje të re opozite. Edhe godinën e PD e blindoi ia kaloi si institucion qeveritar Edi Ramës. Çfarë lideri opozite është ai”, tha Spaho.

Kujtojmë se përveç Berishës, përjashtimi i menjëhershëm nga PD, prek dhe 8 emra të tjerë, mes të cilëve edhe ish presidentin Bujar Nishani apo dhe tre deputetët Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Albana Vokshi. Ndërsa për 19 të tjerë, është vendosur pezullimi i menjëhershëm nga anëtarësia si dhe nga funksionet e tjera në parti.

Një ditë pas protestës së 8 janarit, ish-kryeministri Sali Berisha u kthye në oborrin e selisë së PD, nga ku deklaroi para mediave se nuk do të ndalet.

Ai nuk i kurseu edhe akuzat kundër kryedemokratit Lulzim Basha, teksa këmbëngulte se protesta e organizuar prej tij ishte paqësore, pavarësisht se pati edhe persona të plagosur.