Grupimi i ish-kryeministrit Sali Berisha ka zyrtarizuar kandidatët për kryebashkiakë në gjashtë bashki ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale njoftohet se është mbledhur ditën e sotme për të verifikuar materialet zgjedhore dhe për të miratuar tabelën përfundimtare të votimeve të “Primareve” të mbajtura të dielën.

Kështu, kandidatët fitues sipas degëve janë:

Premtim Kryemadhi në bashkinë Dibër me 424 vota.

Ardia Muka në bashkinë Durrës me 1162 vota.-

Elton Bano në bashkinë Lushnje me 671 vota.

Hekuran Xhani në bashkinë Rrogozhinë me 221 vota.

Lulzim Vrana në bashkinë Vorë me 277 vota.

Bardh Spahia në bashkinë Shkodër me 1011 vota.

Sipas asaj që thuhet në dokumentin e lëshuar nga PD e Berishës, në Primaret e mbajtura në gjashtë bashki të vendit morën pjesë 5,545 anëtarë të partisë.

Më herët gjatë ditës së sotme, ish-lideri i demokratëve zyrtarizoi edhe koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim për zgjedhjet e 6 marsit. Pasi prezantoi kandidatët për kryetar bashkie, Sali Berisha tha se kandidatët e tij do të garojë si pjesë e një koalicioni me LSI-në, por edhe parti të tjera që janë në negociata.

Koalicioni do të quhet “Shtëpia e Lirisë” dhe siç deklaroi Berisha, do të ketë logon e vet, jo të partisë por të koalicionit.