Janë mësuar emrat e 3 viktimave të aksidentit që ndodhi mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Librazhd Elbasan, ku një makinë me 5 persona shmani përplasjen me një mjet tjetër, dhe përfundoi në greminë.

Pas daljes nga rruga mjeti përfundoi i përmbysur në rrjedhën e lumit Shkumbin.

Mësohet se viktimat janë Elmi Keqa 53-vjeç, bashkëshortja Elona Keqa 35-vjeç dhe shtetasi Elis Sulmataj 18 vjeç si dhe janë plagosur shtetasi Elisiado Keqa rreth 10 vjec, Ambra Halili rreth 20 vjec.

Operacioni i nxjerrjes së trupave ka qenë mjaft i vështirë, për shkak të terrenit mjaft të thyer, si dhe rrjedhës së lumit, e cila ka qenë e furishme për shkak të reshjeve të shiut që kanë rënë gjatë natës.

Është dashur ndërhyrja e fadromës për të bërë të mundur nxjerrjen e mjetit nga lumi, ndërkohë që kërkimet në lumë janë kryer dhe nga polumbarë të mbërritur nga Tirana.

Policia dhe grupi hetimor janë ende në vendngjarje për të hetuar mbi shkaqet e këtij aksidenti me pasoja tragjike.