Qytetarët e disa lagjeve në Tiranë, ku po prishen banesa në kuadër të projektit të Unazës së Madhe dhe Rindërtimit, kanë protestuar te Kuvendi, në nisje të seancës plenare.

Më pas ata janë zhvendosur në drejtim të selisë së ambasadës amerikane në Tiranë, ku nuk kanë munguar as përplasjet me punonjësit e policisë.

“Shtëpia ime do të dëmtohet. Jam i sëmurë me dializë, gruan e kam pa pension. Se di ku do ikim, jam i vrarë nga jeta ime. Po na morën shtëpinë do vrasë dhe gruan.. s’na ka mbetur gjë. Burrë e grua jemi.

Unë jam i mbaruar, jam i vdekur nëse na marrin shtëpinë. Do vras gruan dhe veten, të rrojnë këta s’kam ca bëjë, s’kam ku shkoi. 30 vjet e kam atë shtëpi, sot ai thotë dil përjashta. Vajza më ka shlyer dritat dhe ajo e shkreta ka 2 fëmijë. jam gati të vras vetes”, u shpreh për mediat njëri prej banorëve.

Në protestë ka qenë dhe Nënë Liza, e cila është bërë një personazh i njohur dhe për mediat.

“Duam letra me vulë, me kontratë. Nuk dal në rrugë të madhe. Nuk më ka vrarë një, por vet i 13-ti. Nuk do kërkojmë azil. Jemi luftë brenda për brenda. I bëj thirrje Gledis Nanos, nuk kemi qëlluar ne në policë, policia ka gjuajtur në ne. 30 vjet është rruga pa ndreq.

Këto janë letra false. Jam 78 vjeçe, nuk ka shtet e polici që më gënjen. Nuk fut kolonë në vendin tim, pa lëshuar firmë unë. Është jeta e fëmijëve të mi. Jemi që në datën 19 që flemë jashtë. Dikur dhe bagëtitë i mbronim, në dimër i vishnim kasollet me fier e bar që të mos mërdhinin, kurse ne jemi në rrugë. Protesta do vazhdojë ditë për ditë. Po qe nevojë dhe me çadra këtu”, tha nënë Liza për mediat.