Kryeministri Edi Rama ka reaguar për rritjen e çmimit të naftës, benzinës dhe gazit.

Ai ka replikuar me një qytetar përmes një postimi në Facebook pasi donte të dinte arsyen përse  qeveria duhet të vendosë një çmim të lartë ndërsa Shqipëria është vendi më i varfër në rajon.

Në përgjigjen e tij, Rama i tha se rritja e çmimit të naftës nuk është problem vetëm i Shqipërisë, ndërsa për rrogat theksoi se do të ketë sërish rritje.

“Rritja e çmimeve është një problem i përgjithshëm sot, mjafton të shihni Kosovën për të mos shkuar me larg, ndërkohë që siç kam premtuar ne po mbajmë më shumë kosto për buxhetin, mburojën mbi çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë e biznesin e vogël, që kudo ka kërcyer e po kërcen lart!

Sa për rrogat ato janë rritur e do vazhdojnë të rriten, por rritja e rrogave nuk bëhet sipas dëshirës sonë, pasi unë i pari do doja t’i rrisja menjëherë të gjitha, por çdo rritje jashtë mundësive, do të thotë falimentim total në pak muaj si në kohën e Sudës, prandaj duhet punë e durim, për t’u ngjitur me këmbë në tokë s’ka asnjë rrugë tjetër të sigurtë”, përgjigjet kryeministri, Edi Rama.

Nafta së fundmi duket se po i afrohet nivelit të 200 lekë për litër. Në disa pika të karburanteve në kryeqytet nafta shitet për 193 lekë, duke u shtrenjtuar me gati 8 lekë në raport me rritje e fundit. Rritja ka vijuar edhe për benzinën.

Aktualisht, në pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve benzina tregtohet për rreth 195 lekë për litër duke shënuar një shtrenjtim të ngjashëm me naftën, teksa nuk ka ndalur shtrenjtimin as çmimi i gazit. Ky i fundit në disa nga karburantet shitet për rreth 94 lekë për litër.