34-vjeçari shqiptar Ergys Dashi u ekzekutua me 20 plumba më 22 janar të këtij viti në një restorant në Guajakil, Ekuador. Në portin ku ai qëndronte, dërgohen ngarkesa të mëdha droge në Evropë.

Lufta e ashpër për dominimin e tregut të kokainës në Ekuador, duket se ka qenë ‘molla e sherrit’ mes klanit serbo-malazez ‘Kavac’ dhe mafies shqiptare të drogës.

Dashi ishte një lidhje mes mafies shqiptare dhe ruse dhe thuhet se u eliminua me vrasës me pagesë. Ishin dy persona që kryen ekzekutimin, njëri prej të cilëve hyri në restorantin ku po darkonte me buqetë me lule në dorë për të shmangur kontrollin në hyrje.

Viktima bënte një jetë të fshehtë në Ekuador, ku nuk kishte dosje dhe merrej me tregtinë e kokainës. Ndërkohë, dyshohet se përgjegjësit kryesorë të eleminimit  të Dashit janë klani mafioz serbo-malazez ‘Kavac’, me në krye Radoje Zvicer. Ky i fundit dyshohet se do të kryente edhe ekzekutimin e presidentit serb Alesandër Vucic.

Ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin deklaroi se në krye të organizatës kriminale që kishin paralajmëruar vrasjen e Vucic ishte shtetasi malazez Radoje Zvicer, organizatori dhe lideri i klanit Kavaç, për të cilin Serbia tashmë ka lëshuar fletarrestin. Sipas Vulin, Zvicer është përgjegjës për kontrabandën dhe shitjen e paligjshme të drogës, si dhe për vrasjet e kryera në Serbi, Mal të Zi dhe vende të tjera.

Por, çfarë e shkaktoi përplasjen mes dy grupeve mike, që u kthyen në armike?

Menjëherë pas vrasjes së Ergys Dashit, nisën aludimet e para të grupit apo personave, të cilët kishin paguar për të eliminuar njërin prej kokave shqiptare të kokainës në Ekuador.

Të gjitha faktet dhe rrethanat çuan në emrin e klanit KAVAC.

Megjithatë, deri më tani, gjithçka mbetet nën kuadrin e dyshimeve, ndërsa mësohet se ajo që çoi në këtë përplasje është pikërisht fakti shqiptarët drejtuan policinë me një nga ngarkesat e mëdha të kokainës në pronësi të klanit ‘Kavac’, e cila më pas u sekuestrua.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja serbe ‘Kurir’, Dashi ishte një lidhje e fuqishme mes mafies shqiptare dhe asaj ruse. Më tej në këtë shkrim thuhet se, palët iu vunë kundër njëri – tjetrit pas spiunimeve që shqiptarët iu bënë serbo-malazezëve të ‘Kavac’, të cilët ishin të gjymtuar nga arrestimet e kryera së fundmi në Serbi dhe Malin e Zi, ndërkohë që lideri i tyre është ende në arrati.