Njolla e tmerrshme që Antony Blinken i vuri Shqipërisë dhe gjithçka bëhet për George Soros

Nga Miranda Devine | The New York Post

Sikur të mos ishte përfshirë mjaftueshëm në debate të huaja, Sekretari i Shtetit Antony Blinken tani akuzohet edhe për ndërhyrje në zgjedhjet e Shqipërisë për llogari të  miliarderit George Soros dhe si rrjedhojë po paditet për shpifje në një gjykatë ndërkombëtare.

Një nga veprimet e para të Blinken me marrjen e detyrës vitin e kaluar ishte sanksionimi i ish-presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, aleati antikomunist i presidentëve George HW Bush dhe George W. Bush, ndëshkim që erdhi pasi Berisha ka qenë në opozitë për tetë vjet.

Por Sali Berisha është një kundërshtar i zëshëm i Soros dhe Fondacioneve të tij të Shoqërisë së Hapur, njeriu që edhe ka nxitur “reformën” gjyqësore dhe zgjedhore në Shqipëri.

Në një deklaratë zyrtare dhe një postim shoqërues në Twitter prillin e kaluar, Blinken pretendoi se Berisha është “i korruptuar” dhe se kishte “minuar demokracinë në Shqipëri” ndaj ndaloi atë, gruan dhe dy fëmijët e tij të hynin në SHBA.

Berisha i mohon me forcë akuzat. Ai është i indinjuar që Blinken nuk ka dhënë kurrë asnjë provë. Kurse pretendon se qeveria amerikane po përpiqet të mbështesë qeverinë socialiste të kryeministrit aleat të Soros, Edi Rama. Në këtë kuadër, Berisha ka nisur një gjyq për shpifje, kundër sekretarit në një gjykatë në Paris. Vitin e kaluar, gjykata korrektuese e Parisit ra dakord të shqyrtojë rastin.

“Asnjëherë në jetën time nuk jam akuzuar nga një person apo një institucion për korrupsion”, tha Berisha në telefon nga kryeqyteti shqiptar, Tirana. “E kundërta është e vërtetë. Kam punuar shumë ngushtë me qeverinë amerikane në luftën kundër korrupsionit.”

Problemi me Sorosin

Sali Berisha thotë se sanksionet janë hakmarrje për përpjekjen e tij për të shpallur Sorosin “persona non grata” në Shqipëri. Berisha shpjegon se përpjekja e tij erdhi pasi u ndje i shqetësuar për ndikimin keqdashës të Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur të Sorosit në Shqipëri.

“Unë kurrë nuk kam pasur një problem personal me George Soros. Problemi është se në fillim u duk se e ndihmoi Shqipërinë të kishte shoqëri civile dhe unë i isha falënderues, por në një kohë të shkurtër u bë e qartë se ai po krijonte një model monastik të shoqërisë civile.

Grupi Soros diktoi gjithçka. Pra, ne kemi tani një sistem drejtësie, totalisht të kontrolluar nga qeveria. Krerët e institucioneve të drejtësisë, në kundërshtim me ligjet kushtetuese, aktualisht janë ish-prokurorë komunistë.”

Berisha, një kardiolog që udhëhoqi lëvizjen për të rrëzuar diktaturën komuniste të Shqipërisë, shërbeu si presidenti i parë jokomunist i Shqipërisë nga viti 1992 dhe më vonë si kryeministër dhe udhëheqës i opozitës.

Republikanët si Lee Zeldin, duket se e kanë kuptuar se diçka bie erë ndaj tre herë kanë kërkuar që Blinken të sjellë prova për të mbështetur akuzat e tij për korrupsion kundër Berishës.

Gjatë një takimi të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve qershorin e kaluar, Zeldin tha se sanksioni ndaj Berishës erdhi “me sa duket nga askund”.

Zeldin tha se Berisha “ishte i njohur gjithashtu si një kundërshtar agresiv i George Soros” dhe shtroi pyetjen: Çfarë informacioni specifik mund të ndani me komitetin për të justifikuar këtë lëvizje dramatike?”

‘E papranueshme dhe e dyshimtë’

Matt Palumbo vë në dukje në librin e tij të ri “The Man Behind the Curtain: Inside the Secret Network of George Soros” se Blinken ka lidhje familjare me Soros.

Palumbo thekson faktin se babai i sekretarit të shtetit, Donald Blinken, ish-ambasadori i SHBA-së në Hungari, dhe gruaja e tij, Vera, financuan Arkivat e Shoqërisë së Hapur të Vera dhe Donald Blinken në Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest, i cili u themelua dhe u financua nga Soros.

Palumbo citon gjithashtu një raport të Rrjetit të Fondacioneve Soros të vitit 2002, në të cilin Donald Blinken renditet në Bordin e Administratorëve të universitetit, me Soros si kryetar.

Pasi Antony Blinken u konfirmua si sekretar i shtetit, gazeta hungareze Magyar Nemzet e quajti atë, një “lajm të madh për George Soros”.

Në nëntor, Zeldin i shkroi përsëri Blinken duke i kërkuar që të justifikojë me prova, veprimet e tij në Shqipëri.

“Kjo është tani kërkesa ime e tretë për informacion shtesë që nga ngritja e çështjes së sanksionimit të Sali Berishës me Sekretarin Blinken gjatë seancës dëgjimore të Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve më 7 qershor 2021,” njoftoi Zeldin.

“Kongresi luan një rol të rëndësishëm mbikëqyrës ndaj ekzekutivit duke përfshirë Departamentin e Shtetit, por zyra ime ka marrë jashtëzakonisht pak detaje në përgjigje të pyetjeve të mia. Është e papranueshme dhe e dyshimtë që Departamenti i Shtetit nuk e ka përmbushur mjaftueshëm këtë kërkesë për informacion shtesë në kohën e duhur dhe në vend të kësaj ka zgjedhur të ngadalësojë një kërkesë të Kongresit për transparencë.

Blinken duhet të pastrohet. Nëse ka prova se Berisha është i korruptuar, duhet t’i bëjë publike. Përndryshe, reputacioni i Amerikës është dëmtuar”, paralajmëron kongresmeni.

E ndërkohë, një tjetër aferë është në vëmendje të mediave amerikane. Devon Archer, ish-partneri i biznesit i Hunter Biden, pritet të dënohet në fund të këtij muaji pasi humbi apelin në Gjykatën e Lartë në dhjetor.

Archer, 47 vjeç, kishte apeluar dënimin e tij penal të vitit 2018, në lidhje me një skemë abuzimi prej 60 milionë dollarësh për të mashtruar një fis indian amerikan.

Hunter Biden, djali i Presidentit nuk u akuzua kurrë për mashtrim dhe nuk pretendohej të ishte përfshirë. Por gjykata dëgjoi se emri i tij ishte përdorur si një pikë reference dhe përshkruhej në broshurat promovuese si nënkryetar i Burnham Financial Group, firma në qendër të mashtrimit.

Në procesin e 2018, dy miqtë e tjerë të Archer, Bevan Cooney dhe John Galanis, u gjykuan së bashku me të dhe u burgosën. Kurse Archerit iu hoq dënimi nga gjykatësi i qarkut amerikan Ronnie Abrams.

Shënim: Miranda Devine është autorja e “Laptop nga Ferri: Hunter Biden, Big Tech dhe sekretet e pista që Presidenti u përpoq të fshihte” (Post Hill Press).