Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë në Fier, ku një grua rreth 50-vjeçe ka humbur jetën.

Në njoftimin e policisë gjatë mëngjesit të sotëm, u raportua se gruaja dyshohej se kishte vrarë veten me thikë.

Por mësohet se burri ka gënjyer policinë. Dyshohet se ai vetë e ka vrarë me thikën e bukës dhe për t’i shpëtuar prangave, i tha forcave blu se gruaja kishte kryer vetëvrasje. Mësohet se ai e ka qëlluar me thikën e bukës në gjoks 5 herë për motive xhelozie.

Pas një pune hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, Policia ka arrestuar shtetasin P. M.,si autor i dyshuar i vrasjes së bashkëshortes së tij.

“Nga provat e grumbulluara, deklarimet e marra, këqyrjes së trupit të viktimës nga eksperti mjeko-ligjor dhe veprimet e mëtejshme hetimore të kryera nga grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorisë Fier, rezulton se shtetasi P. M., bashkëshorti i viktimës, për motive të dobëta ka goditur me thikë shtetasen V. M., e cila për pasojë ka gjetur vdekjen.

Në bazë të hetimeve të thelluara, i vendosur përballë provave të adminstruara, shtetasi P. M., ka pranuar autorësinë dhe motivin e ngjarjes.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, shtetasin P. M., 56 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.

U sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës(thikë), me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.