Kryetari i PD Lulzim Basha ka mbërritur në SPAK. Ndaj tij nuk ka asnjë procedim penal në SPAK por janë shfrytëzuar ambientet e kësaj Prokurorie në mënyrë që Basha të merret në pyetje nga prokurorët belgë të cilët prej 3 ditësh ndodhen në Shqipëri.

Pyetja e drejtuar ndaj Bashës është lidhur me burimin e informacionit për “Çështjen Toyota Yaris” të cilën kryedemokrati e denoncoi në parlament para sesa të kapej nga policia.

Brenda makinës Toyota Yaris u kapën 3.4 milionë euro. Në Belgjikë po zhvillohen hetime të vazhdueshme pasi dyshohet se këto para vinin nga aktivitete kriminale nga një grup i fuqishëm me qendër në Shqipëri.

Përveç kryedemokratit, në qendër të hetimeve është edhe një grup kriminal që merret me trafikimin e lëndëve narkotike dhe pastron para me ndihmën e disa zyrtarëve, por ende nuk janë zbardhur detaje apo emra të personave të përfshirë. Deri më tani, i vetmi person që u dënua për dosjen ‘Toyota Yaris’ ishte Elvis Vladi. Por edhe këtij të fundit iu dha vetëm një vit e gjysmë burg për veprën penale të mosdeklarimit të parave në kufi, duke sfumuar akuzën fillestare “pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Vladi përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe do të qëndrojë vetëm 1 muaj në qeli, duke nisur nga data 19 tetor e vitit të kaluar, ditë kur iu dha dënimi. Për të njëjtën çështje është dënuar me 2 vite e 4 muaj burg edhe Agim Ceka i cili u gjykua për veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Çeka ishte shoferi i kamionit.

Kjo çështje është bërë si fillim publike nga Lulzim Basha, i cili akuzoi kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla nga Foltorja e Kuvendit si të përfshirë në marrjen e miliona eurove. Basha tha se në vendin tonë do të vinin 5 milionë euro, por në fakt në Portin e Durrësit u numëruan vetëm 3 milionë e 470 mijë euro. Deklarata e Bashës ndryshoi itinerarin pasi makinat që supozoheshin të niseshin nga porti Ankonës, devijuan rrugën dhe u nisën nga porti i Barit drejt Durrësit. Balla e fitoi edhe gjyqin ndaj Bashës, i cili u gjobit me 50 mijë lekë gjobë për shpifje. Fillimisht për këtë dosje u arrestuan gjashtë persona, por të gjithë u liruan përveç Elvis Vladit dhe shoferit të kamionit Agim Ceka.