Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës, nga të cilët janë 2 punonjës të OSHEE që kanë përshtatur një ambient për kultivimin e kanabisit.

Është shpallur në kërkim organizatorja e veprimtarisë, e cila kishte marrë banesën me qira dhe me anë të llambave kultivonin kanabis ndërsa ishin kryer lidhje të paligjshme elektrike.

Në kuadër të operacionit të koduar ‘Pinet’ u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– E. D., 29 vjeç për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” kryer në bashkëpunim;

– Q. H., 47 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– E. M., 26 vjeç, me detyrë faturist pranë OSHEE-së për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Gjithashtu u procedua penalisht kryeplaku i fshatit Pinet, shtetasi E. K., 61 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu, nga ana e Drejtorisë Rajonale e AMP Tiranë u procedua në gjendje të lirë punonjësi i Policisë së Komisariati Nr. 6:

– A. M., 39 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet, në zonën e Ndroqit.

Po në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” kryer në bashkëpunim, shtetasja R. Xh., 32 vjeçe, e cila kishte marrë me qira këtë banesë.

Ajo, së bashku me shtetasin E. D., i cili u kap në banesë gjatë ndërhysjes së shërbimeve të Policisë, e kishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ndërsa punonjësit e OSHEE, nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në këtë ambient, në zonën që ata kishin në monitorim.

Gjatë kontrollit të telefonit të shtetasit E. M., iu gjetën programe për vendosjen e lotove sportive.

Gjatë zhvillimit të operacionit janë sekuestruar  247 bimë kanabis të kultivuara në vazo, 45 ushqyes elektrikë, 46 llamba elektrike, 11 freskuese, shuma prej 120.000 lekë të rinj dhe 7 aparate celulare.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, “Vjedhja e energjisë elektrike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.