Detaje të reja mësohen në lidhje me shtëpinë e barit që u zbulua nga punonjësit e policisë së Tiranës.

Mësohet se personat e arrestuar si organizatorë të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura janë shtetasit Alban Karapici dhe Leonardo Zela.

Zela është nipi i Emiljano Shullazit, më konkretisht djali i motrës së tij.

Atyre u janë sekuestruar një sasi e madhe eurosh dhe paund britanikë, si dhe paisje të tjera të ngjashme me radiot e policisë dhe bllokuesit e valëve.

Gjatë kontrollit të banesës së Zelës në zonën e ish-Parkut në Tiranë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje, 4 kavanozë qelqi me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, një peshore elektronike, një përforcues grushti, sasi farash të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe shumat 11150 euro dhe 11.000 paund.

Ndërkohë që në banesën e Karapicit u gjetën dhe sekuestruan vazo me fidanë kanabis të kultivuara në to, 31 llamba elektrike, një sasi rreth 140 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, e cila ishte e ambalazhuar në 7 kavanozë qelqi të përmasave të ndryshme, një radio si ato që përdoren nga Policia, një bllokues valësh dhe një detektor për kërkimin e GPS.