Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë brenda ditësh për fatin e Presidentit Ilir Meta pas kërkesës së Kuvendit për shkarkimin e tij.

Në një bashkëbisedim me gazetarët nga Uashingtoni, kryeministri Edi Rama u pyet nëse Meta do të ketë fatin e Berishës nëse shkarkohet nga Kushtetuesja.

Rama zgjodhi të mos e komentojë shumë gjatë duke thënë, se ai respekton çdo vendim që do të merret nga Kushtetuesja.

“Janë analiza që nuk janë të vështira për tu bërë kur ndjek me kujdes dinamikën, por duke qenë se Ilir Meta është në gjykim, nuk do të doja që të hyja në këtë grackë që më ngrite me buzëqeshje sepse mendoj që është koha që Gjykata Kushtetuese të vendosë në vend nderin e nëpërkëmbur të Kushtetutës”, u shpreh Rama.

Ai më herët tha se çdo politikan që shpallet non grata është për ‘meritë’ të tij, dhe jo si produkt i lobingjeve në SHBA.