Gjykata e Tiranës ka dënuar me 17 vite burg biznesmenin italian Francesco Becchetti. Vendimi u shpall ditën e sotme  i lexuar nga gjyqtari Besnik Hoxha.

“Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”-janë veprat penale që bien nga biznesmenin.

Prokuroria kërkoi më herë për biznesmenin 20 vite burg, mirëpo Gjykata vendosi sot për 17. Becchetti do të qëndrojë në një burg të sigurisë së zakonshme.

Po ashtu, u dënuan me burgim edhe bashkëshortja Eriona Troplini dhe nëna e Becchettit, Liliana Condomitti me nga 8 vite burg, duke i akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale. Ndërsa bashkëpunëtori i tij Mauro De Renzis u dënua me 16 vite për veprat penale: “Falsifikim të dokumenteve”, “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Krijimi i skemave mashtruese”, “Mospagim i taksave dhe tatimeve”, “Kontrabandë me mallra të tjerë” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

Aktualisht ndaj biznesmenit italian është lëshuar një urdhër arrest ndërkombëtar.

Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015. Becchetti kishte kërkuar 650 milionë euro dëmshpërblim, por sipas vendimit të marrë në gjykatën ndërkombëtare në çështjen ‘Beccheti’ kundër Shqipërisë, vendi ynë duhet t’i paguajë 110 milionë euro biznesmenit.