Shumë zhurmë për asgjë. Kjo vlen për arrestimet e policisë mbas vrasjes së Hekuran Billës. Sikurse dihet, uniformat blu vunë në pranga si të dyshuar Viktor Markun dhe Sebastian Malin (dajë dhe nip), me pretendimin se kishin marrë gjakun e të afërmit të tyre, vrarë në Angli nga viktima e përmendur më sipër.

Policia arrestoi edhe Adjola Lakra, duke e akuzuar si karrem të vrasësve, se nxori në pritë Billën më 11 qershor 2020 në Komunën e Parisit në Tiranë, ku ndodhi edhe atentati.

Organet ligjzbatuese nuk siguruan dot prova që t’i implikonin këto persona në vrasje, ndaj fillimisht ishte prokuroria, ajo që kërkoi pushimin e çështjes.

Tashmë, edhe gjykata ka mbështetur qëndrimin e Prokurorisë, duke dalë në përfundimin se nuk ka prova që implikojnë dajë e nip në këtë krim.

Lakra ka disa kohë që është liruar nga burgu, ndërsa dyshimet janë hedhur poshtë edhe mbi përfshirjen e 8 policëve, të cilët kishin kërkuar verifikime në sistemin TIMS për Billën. Thënë ndryshe, hetimet fillojnë nga zero, pasi nuk ka asnjë autor të dyshuar për vrasjen e Billës.